Më shumë se gjysma e të prekurve nga kanceri i prostatës rrezikojnë të bëjnë metastaza. Metastazat ndodhin atëherë kur qelizat tumorale nëpërmjet sistemit limfatik apo qarkullimit të gjakut dalin jashtë prostatës dhe prekin pjesë të tjera të trupit. Sipas mjekut urolog, Rezart Xhani, regjionet më të shpeshta ku përhapet tumori janë: nyjat limfatike, kockat, mushkëritë, mëlçia dhe truri. Në një intervistë dhënë për gazetën, doktori ndalet në metodat e trajtimit që aplikohen aktualisht, si edhe mbi rëndësinë që duhet të ketë regjimi ushqimor.
“Për shkak se një dietë e pasur me yndyra është e lidhur me një incidencë më të lartë të kancerit të prostatës, dieta me pak yndyra mund të ketë efekt pozitiv te pacientët që kanë një risk të lartë për të shfaqur një kancer prostate (pacientët me histori familjare për kancer prostate) apo ata pacientë që do t’i nënshtrohen trajtimit për kancer të avancuar të prostatës”, pohon mjeku urolog.
Çfarë është tumori metastatik i prostatës?
Tumori metastatik i prostatës është një tumor, i cili e ka fillesën nga prostata, por që përhapet në pjesë të tjera të trupit, zakonisht në kocka. Në teori qelizat e tumorit të prostatës përhapen kudo në trup, por në praktikë ato përhapen në nyjat limfatike dhe në kocka. Përhapja e tumorit ndodh kur qelizat tumorale dalin jashtë prostatës dhe udhëtojnë me anë të sistemit limfatik apo qarkullimit të gjakut në pjesë të tjera të trupit. Ky tumor quhet tumor metastatik i prostatës. Për shumicën e burrave, tumori i prostatës është një sëmundje, e cila mund të trajtohet me një sukses të lartë shërimi. Ka mundësi që ky tumor të mos shfaqet për shumë vjet pas trajtimit ose të mos shfaqet më kurrë. Por në disa raste, tumori i prostatës rishfaqet dhe rrezikon të përhapet në pjesë të tjera të trupit.
Cilat janë llojet e tumoreve metastatike të prostatës?
Në rast se jeni trajtuar për tumor të prostatës dhe niveli i PSA po rritet, por tumori nuk ndodhet jashtë prostatës suaj, kemi të bëjmë me një “recidive biologjike të tumorit të prostatës”. Në rast se tumori është përhapur në të gjithë prostatën (duke tejkaluar kapsulën prostatike dhe duke prekur disa gjëndra në afërsi, që ndihmojnë në prodhimin e spermës të quajtura vezikulat seminale), atëherë kemi të bëjmë me një tumor lokalisht të avancuar. Në rast të një tumori lokalisht të avancuar, mund të kemi infiltrim të vezikës urinare, e cila çon në anuri mekanike (pacienti nuk mund të urinojë fare). Në rast se tumori është përhapur, por vihet nën kontroll me anë të uljes së hormoneve mashkullore, atëherë kemi të bëjmë me tumor të prostatës metastatik hormono-sensibël. Ulja e hormonit seksual mashkullor, testosteronit, dhe përdorimi i medikamenteve të tjera (antalgjikë, AINS) lejojnë përmirësimin e urinimit dhe vënien nën kontroll të dhimbjes. Në rast se tumori vazhdon të “rritet”, pavarësisht nivelit të pakapshëm të testosteronit, atëherë kemi të bëjmë me një tumor të prostatës metastatik rezistent ndaj kastracionit (CRPCm). Ky është një tumor që vazhdon të zhvillohet edhe pasi “karburanti” i tumorit (hormonet mashkullore) është reduktuar në nivele shumë të ulëta.
Të mbetemi te sëmundja metastatike, çfarë është dhe ku ka predispozitë të përhapet tumori?
Tumori metastatik nënkupton që tumori është përhapur nga prostata drejt pjesëve të tjera të trupit. Simptomat që mund të shfaqin burrat e prekur nga një tumor metastatik janë dhimbjet kockore, humbja në peshë dhe edema të gjymtyrëve të poshtme dhe këmbëve. Regjionet më të shpeshta ku përhapet tumori janë: nyjat limfatike, kockat, mushkëritë, mëlçia, truri. Regjionet ku tumori përhapet më pak janë: gjëndrat e pështymës, sytë, gjinjtë, pankreasi, veshkat, shpretka, muskujt.
Cilat janë analizat laboratorike që duhen kërkuar në rast të tumoreve metastatike të kancerit të prostatës?
Analizat më të shpeshta janë: Gjak komplet, testet hepatike, kreatinina, fosfataza alkaline, PSA total dhe raporti PSA e lirë/ PSA total. Gjithashtu duhet kërkuar një analizë urine e thjeshtë, e cila duhet pasuar nga një analizë urine me mbjellje në rast të një pacienti simptomatik.
Po ekzaminimet imazherike?
Në rast të një tumori prostatik me Gleason < 7 apo PSA < 20ng/ml, shintigrafia kockore nuk jep të dhëna të mjaftueshme. Pacientët me Gleason > 6 duhet të bëjnë një shintigrafi kockore pavarësisht nga niveli i PSA. Shintigrafia kockore duhet bërë çdo 2 vjet te pacientët nën terapi për tumor metastatik të prostatës ose te pacientët me rrezik të lartë për të shfaqur metastaza. Gjithmonë duhet realizuar një shintigrafi kockore te pacientët, të cilët paraqesin simptomat e metastazave kockore. Një shintigrafi kockore mund të mos tregojë asgjë edhe 5 vjet pasi mikrometastazat janë shfaqur. Në rastin e një dështimi biokimik, shintigrafia kockore duhet bërë në rast se PSA > 30ng/ ml. Radiografia e gjoksit mund të tregojë në raste të veçanta metastaza pulmonare. Skaneri dhe rezonanca magnetike mund të tregojë përhapje ekstra-kapsulare, prekje të vezikulave seminale, zmadhim të nyjave limfatike, metastaza hepatike, si edhe hidronefroze (si pasojë e obstruksionit të uretereve distale). Meqenëse nivelet e PSA nuk reflektojnë gjithmonë ecurinë e sëmundjes, skaneri apo rezonanca magnetike mund të ndihmojnë për të parë përgjigjen ndaj trajtimit. Imuno-shintigrafia përdoret për të parë përhapjen ekstra-prostatike (rekurencë e lokalizuar apo përhapje limfatike). Imuno-shintigrafia ka ndjeshmëri shumë më të lartë në rast se kombinohet me CT-SPECT. Pet–Skaneri. Fluviclovine F18 është aprovuar në maj të 2016-s për PET imazheri te burrat me dyshim për rekurencë të tumorit prostatik. Miratimi u bë pasi u realizua një studim krahasimor me 11C-choline dhe u pa avantazhi i PET-Skanerit me përdorim të fluviclovine F18.
Si bëhet trajtimi i të sëmurëve me tumore metastatike të prostatës?
Fillimisht duhet bërë ndarja e pacientëve me sëmundje lokalisht të avancuar (T3 klinikisht) dhe pacientët me sëmundje metastatike. Historikisht, terapia për pacientët metastatikë dhe lokalisht të avancuar ka qenë frenimi androgjenik. Në sëmundjet metastatike kjo terapi paliative jep një mbijetesë pa progresion të sëmundjes 18-20 muaj dhe një mbijetesë totale 24–36 muaj. Megjithatë, të gjithë pacientët shfaqin sëmundje hormonerezistente. Por ndonëse hormono-terapia jep rezultate të menjëhershme, potenciali i saj kurues është i kufizuar për shkak të heterogjeinicitetit të kancerit të prostatës, si edhe pamundësisë së hormoneve për të zhdukur të gjithë klonet e kancerit të prostatës. Përpos uljes së incidencës së diagnostikimit të tumoreve prostatike metastatike, nga 20% në vitin 1970 në 5% në 2013, rreziku i përhapjes metastatike në pacientët me tumor prostatik të lokalizuar, shkon nga 30-60%. Pacientët terminalë, te të cilët çdo linjë trajtimi ka dështuar, duhen trajtuar në shtëpi për dhimbjen. Pacientët e diagnostikuar me paralizë si pasojë e komprimimit të medulës spinale ose ato me fraktura patologjike duhen imobilizuar menjëherë, derisa të realizohet një konsultë me mjekun përkatës (mjekun radioterapeut për terapi paliative të metastazave kockore, mjekun neurokirurg për komprimi të medulës spinale, mjekun ortoped për frakturat patologjike dhe mjekun onkolog për kimioterapi).